Miresevini ne Departamentin e Gjuheve te Huaja!

Departamenti i Gjuhëve të Huaja është një nga departamentet më të mëdha dhe më të rëndësishëm në Fakultetin e Shkencave Humane. Departamenti i Gjuhëve të Huaja ofron dy diploma të ciklit të parë të studimeve, DNP (diplomë e nivelit të parë), në gjuhën angleze dhe gjuhën italiane, si dhe dy diploma të ciklit të dytë të studimeve, MNP (master i nivelit të parë), në mësuesi në gjuhën angleze dhe gjuhën italiane.

Diplomat e ciklit të parë të studimeve synojnë t’u japin studentëve një formim gjuhësor dhe shkencor me drejtim human me qëllimin që ata të jenë në gjendje të ndjekin kurse më të përparuara studimi apo të marrin një drejtim në ato fusha ku aftësia për të përdorur gjuhën e huaj me efikasitet dhe ndjeshmëri është thelbësore. Diplomat e ciklit të dytë të studimeve synojnë përgatitjen e mësuesve të ardhshëm të gjuhës së huaj për ciklin e lartë të arsimit bazë (CLAB).

Gjithashtu, departamenti ofron kurse të nivelit fillestar dhe mesatar në gjuhën angleze, italiane, frënge, gjermane dhe latine për të gjithë studentët e UV-së. Shtrirja e këtyre kurseve të larmishme në programet e UV-së përbën dhe një nga risitë e vitit të fundit akademik.

Në Departamentin e Gjuhëve të Huaja do të gjeni një personel akademik me përvojë, i cili është i përkushtuar në procesin e mësimdhënies dhe i gatshëm t’u shërbejë nevojave të studentëve.