UV TECHNOLOGY CENTER                                                                              

Format e shoqërive tregtare


Shoqëritë Kolektive janë ato shoqëri që bazohen në cilësitë personale të ortakëve të tyre. Që të krijimi i shoqërisë tuaj kolektive të jetë i rregullt duhet të plotësohen disa kushte:

  1. Shoqëria duhet të rregjistrohet si e tillë. Kjo do të thotë që në statutin dhe aktin e themelimit të shoqërisë duhet të përmendet shprehimisht që shoqëria është një shoqëri kolektive (psh. Krijohet A... shoqëri kolektive) . Ky fakt merr rëndësi, sepse lidhet drejtpërdrejt me lindjen e të drejtave dhe përmbushjen e detyrimeve nga ana e ortakëve.
  2. Ortakët kanë përgjegjësi të pakufizuar ndaj kreditorëve të shoqërisë. Kjo do të thotë që ata përgjigjen për detyrimet e shoqërisë jo vetëm me kontributin që kanë derdhur në shoqëri, por dhe me pasurinë e tyre personale. Përgjegjësia e ortakëve është solidare. Kjo do të thotë që ata përgjigjen për detyrimet e shoqërisë në mënyrë të barabartë. Në raste të veçanta detyrimi i shoqërisë mund të përmbushet dhe nga një ortak i vetëm dhe këtij i lind e drejta e regresit (të kërkojë shumën e paguar) ndaj ortakëve të tjerë.
  3. Veprimtaria tregtare e anëtarëve të saj duhet të ushtrohet nën një emër të përbashkët. Kjo do të thotë që pavarësisht se ortakët kanë përgjegjësi të pakufizuar përpara kreditorëve të tyre, veprimtaria tregtare kryhet në emër të shoqërisë dhe detyrimisht dhe detyrimet ndaj kreditorëve përmbushen nga shoqëria.

Ortakët mund të kontribojnë në një shoqëri tregtare me para, në natyrë, ose me të drejta.      Konributi i ortakëve në një shoqëri kolektive si rregull është i barabartë, por me marrëveshje midis tyre ata mund të përcaktojnë rregulla të ndryshme në lidhje me këtë fakt (të kontribuojnë në pjesë jo të barabarta). Në këtë rast të drejtat dhe detyrimet që do të lindin për ortakët që kanë pjesë kontributi të ndryshëm nga ortakët e tjerë, do të jetë në përpjestim me kontributin e tyre në shoqëri.
Administrimi i shoqërisë kolektive mund të bëhet nga të gjithë ortakët së bashku, ose nga një administrator i zgjedhur prej tyre.
Ashtu si administrimi dhe përfaqësimi i shoqërisë mund të bëhet nga të gjithë ortakët së bashku, ose nga njëri prej ortakëve, ose nga përfaqësuesi i tyre ligjor i zgjedhur me prokurë.

 

Shoqëritë komandite janë ato shoqëri ku të paktën përgjegjësia e njërit prej ortakëve është e kufizuar në vlerën e kontributit të tij, kurse përgjegjësia e ortakëve të tjerë nuk është e kufizuar.          Siç kuptohet në shoqëritë komandite kemi ortakë të kufizuar dhe ortakë të pakufizuar. Ortaku i kufizuar përgjigjet për detyrimet e shoqërisë brenda kontributit të tij  në shoqëri, kurse ortakët e pakufizuar përgjigjen për detyrimet e shoqërisë me të gjithë pasurinë e tyre. Rrjedhimisht dhe të drejtat dhe detyrimet që lindin për dy kategoritë e ortakëve janë të ndryshme. Vetëm ortakët e pakufizuar mund të administrojnë shoqërinë, apo ta përfaqësojnë atë në marrëdhënie me të tretët. Megjithatë ortakët e pakufizuar mund të autorizojnë dhe një ortak të kufizuar të kryejë veprimet e mësipërme.

 

Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar është një shoqëri tregtare në të cilën anëtarët e saj përgjigjen për detyrimet e shoqërisë deri në pjesën e konributit të tyre në shoqëri. Pra anëtarët e shoqërisë nuk janë të detyruar të përmbushin detyrimet e saj me pasurinë e tyre personale. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar përbëhen nga dy ose me shumë persona fizikë dhe/ose juridikë. Megjithatë ligji përcakton se si përjashtim Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar mund të përbëhet dhe vetëm nga një person fizik, por ky fakt duhet të rregjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Rregjistrimit. Ajo që dallon Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar nga shoqëritë e tjera tregtare është thjeshtësia në organizimin e saj. Siç u sqarua më sipër ajo mund të organizohet dhe vetëm me pjesmarrjen e një ortaku të vetëm, i cili kryen të gjitha funksionet e organeve që ka një Sh.P.K, e cila ka më shumë se një ortak.
Nëse bisnesi juaj do të organizohet në formën e një Sh.P.K-je, atëherë duhet përcaktuar kapitali themeltar i shoqërisë. Dhe në këtë aspekt ligji përcakton mjaft lehtësira. Kjo do të thotë se ju mund të përcaktoni kapitalin e shoqërisë tuaj, por edhe nëse nuk e keni paguar totalisht atë, kjo nuk do ju pengojë të rregjistroni bisnesin tuaj pranë QKR-së. Nëse kërkoni ta organizoni biznesin tuaj në formën e një SH.P.K-je me më shumë se dy ortakë atëherë duhet që të përcaktoni dhe organet e shoqërisë tuaj. Zakonisht organet e një SH.P.K-je janë: Asambleja e Përgjithshme e ortakëve, i cili është organi kryesor vendimarrës i shoqërisë, Administratori, dhe në raste të veçanta e kërkesën e një apo më shumë ortakëve themelues mund të caktohet dhe një Ekspert Kontabël.

 

Shoqëritë Aksionare janë forma më komplekse e shoqërive tregtare. Ashtu si Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar, ato janë shoqëri kapitali. Kjo do të thotë që anëtarët e kësaj shoqërie përgjigjen për detyrimet e shoqërisë vetëm në masën e kontributit që ata kanë në shoqëri.
Në varësi të organizimit të shoqërisë, Shoqëritë Aksionare mund të jenë me ofertë publike, ose me ofertë private. Shoqëri Aksionare me ofertë publike janë ato shoqëri të cilat i a drejtojnë ofertën për të blerë aksione një numri të papërcaktuar personash. Me ofertë private janë ato Shoqëri Aksionare, të cilat ia drejtojnë ofertën për të blerë aksione disa instutucioneve, aksionarëve, punonjësve dhe/ose jo më shumë se 100 investitorëve të jashtëm. Shoqëria Aksionare me ofertë publike nuk mund të ketë një kapital më të vogël se dhjetë milion lekë. Shoqëria Aksionare me ofertë private nuk mund të ketë një kapital më të vogël se dy milion lekë.

Organi më i rëndësishëm i Shoqërive Aksionare është Asambleja e Përgjithshme e ortakëve. Sipas përcaktimeve në statut dhe në aktin e themelimit, Shoqëritë Aksionare mund të kenë një Këshill Administrimi, Këshillin Mbikqyrës, dhe/ose një ose më shumë administratorë.

 

 

 

 

 

 

Menu

Lidhje

Njoftime

Duke filluar nga data 15 Shtator UV Technology Center do te ofroje kurse ne lendet:


1.E Drejta Tregtare

2.E Drejta Bankare

3.E Drejta e Falimentit

 

Te gjithe te interesuarit te kontaktojne: [email protected]

 

Ju faleminderit!

 

more